Dita e Veres ne Permet

Duaje Tokën, Mbro të Ardhmen… Ejani ta bëjmë së bashku edhe në Përmet!
Dita e Verës është parë thuajse gjithmonë si një festë e veçantë në Shqipëri, por që dashje pa dashje e kemi lidhur në mënyrë krejt të veçantë e thuajse ekskluzive me qytetin e Elbasanit. Në fakt, ka dhe zona të tjera të Shqipërisë, ku Dita e Verës është po aq e bukur dhe karakteristike. Një prej tyre është qyteti i Përmetit, ku këtë vit “Slow Food Përmet Albania” do të organizojë një festë të veçantë.
Gatime tipike dhe tradita të kësaj feste do ta bëjnë Përmetin, mikpritës të njerëzve të ndryshëm për dy ditë me rradhë, në 13 dhe në 14 mars. 

Jetoni dhe ndani me ne emocionet e një prej festave familjare më popullore të trevës tonë! Urdhëroni të shijoni gatesat e shumta përmetare që sipas zakoneve tona, më 14 Mars, mbyllin një sezon dhe hapin një tjetër, nga koleja & qingji i mbushur, kulaçi i bekuar & përvlaku, kulaçkat me finjë & qumështori me kulloshtër...
Vallëzoni me ne, lidhni verojkën, bëhuni pjesë e lojrave të bukura popullore, kapërceni zjarrin me dëllinja dhe çoni në shtëpi degën e thanës për një vit sa më të mbarë…
Për të kuptuar më mirë çfarë i mban të bashkuara duart e komunitetit tonë të vogël dhe në mbështje të iniciativës botërore të Slow Food International: “Duaje Tokën-Mbro të Ardhmen/ Love the earth-Defend the Future”, ju ftojmë të bëheni pjesë e kornizës së Ditës së Verës përmetare dheeeee… kujdes… sepse edhe dera juaj mund të trokasë për një ëmbëlsirë apo frut… A jeni gati?!